Presidenti amerikan, Joe Biden të dielën do të pranojë medalje presidenciale nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në emër të djalit të tij, Beau Biden për punën në forcimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Biden pëmes një video-mesazhi të regjistruar do të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të medaljes post-mortem për birin e tij i cili vdiq nga kanceri në tru në vitin 2015.
Për këtë ngjarje ka shkruar edhe CNN.
Biden thotë në video se çmimi është një “nder i madh” dhe se djali i tij “ra në dashuri me vendin” kur kaloi kohën atje.
Beau Biden punoi në Kosovë pas luftës së viteve 1998-1999 me forcat ushtarake serbe dhe së bashku me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka kontribuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve vendor.
Biden vizitoi Kosovën në vitin 2016 si nënpresident kur vendi emëroi një rrugë sipas Beau Biden.
Presidenti tha se ishte i lumtur që SHBA ishte në gjendje t’i ndante Kosovës disa vaksina kundër COVID-19. Ato doza, tha ai, do të arrijnë “brenda javëve”.
Ngjarja e së dielës do të zhvillohet në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ambasadori amerikan, Philip Kosnett do të marrë medaljen.
Ndërkaq, Shpat Deda do të interpretojë disa këngë të Coldplay, një prej grupeve të preferuara të Beaus.
