Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është e shqetësuar për situatën që po zhvillohet në Ukrainë dhe sipas saj, Rusia po angazhohet edhe për destabilizimin e Kosovës.
Osmani në një intervistë për radion britanike “Times Radio”, ka thënë se Rusia në përgjithësi është duke e përdorur Serbinë si satelit.
“Në përgjithësi po përdorë Serbinë si satelit të saj, përmes bashkëpunimit ushtarak, stërvitjeve ushtarake, donacioneve ushtarake, bashkëpunimit ekonomik dhe thjesht duke shtyrë përpara mënyrën e të menduarit dhe veprimit rus, që ka destabilizuar vendet e tjera në rajon, të cilat janë duke u përpjekur të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe NATO. Rusia dhe Serbia janë duke u munduar të shkatërrojnë çdo vlerë të Perëndimit, të ndërtuara në këtë rajon me shumë investime, sakrifica dhe punë”, deklaroi Osmani.
Po ashtu, Vjosa Osmani deklaroi se se ambasadori rus bashkë me atasheun e tij ushtarak kishin ardhur edhe në kufi me Kosovën, gjatë shtatorit dhe tetorit të vitit të kaluar.
“Po mbështetë përpjekjet e Serbisë, si për shembull me rastin e tensioneve në kufirin mes Kosovës e Serbisë gjatë shtatorit e tetorit të vitit të kaluar, teksa Serbia kishte vendosur ushtrinë e saj rreth kufirit, dhe u sollën MIG-të rus dhe armë të tjera ruse e kineze dhe ku ambasadori rus bashkë me atasheun e tij ushatarak erdhën në kufi për t’i dhënë bekimin ushtrisë serbe, që prisnin në kufi, në një farë mënyre duke i trimëruar ata me idetë, që tani Rusia po përpiqet t’i shtyjë në Ukrainë”, tha Osmani.
Osmani në anën tjetër ka shprehur mbështetjen për popullin e Ukrainës e po ashtu për integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi.
Sipas saj, në Ukrainë po ndodh edhe mobilizimi ushtarak rreth kufirit, por edhe ai digjital përmes përhapjes së dezinformatave.
